Top

Arkitekt Seldi Shehu | Studio Arkitekture në Tiranë

  |  Shtypi   |  Si t’i zgjedh mobiljet për shtëpinë time?
Si t’i zgjedh mobiljet

Përshëndetje. Kam një pyetje për një arkitekt.Kam blerë një shtëpi që dua ta arredoj, por tashmë i kam disa orendi dhe nuk di nëse mund t’i fus në shtëpinë e re, apo ajo duhet arreduar nga e para me të gjitha orenditë të reja. A duhet t’i mbaj ato që kam apo t’ia filloj nga e para? Ku të drejtohem për të blerë ato që më duhen? Çfarë duhet të kem parasysh mbi të gjitha, në arredim?

Pasi të keni vendosur se si doni të duket shtëpia juaj, për ngjyrat dhe se sa do të shpenzoni, mund ta ktheni vëmendjen te mobilimi. Sa u përket orendive që keni momentalisht, nuk ka ndonjë rregull të përcaktuar në këtë drejtim. Nëse diçka është e zhvlerësuar dhe jo e kohës e nuk ka një vlerë sentimentale për ju, mund të mos e mbani, por ka shumë nga ato orendi që mund të përshtaten me arredimin e ri. Gjithsesi, nëse jeni ende të pasigurt a duhet t’i mbani gjërat apo jo, mund t’i kërkoni një konsultë një arkitekti interieri, i cili do t’ju ndihmojë, duke analizuar orenditë, për t’ju thënë se çfarë ia vlen të mbahet. Në fund të fundit, dizenjuesi i sheh gjërat në një spektër tjetër. Pasi të keni shqyrtuar të gjitha orenditë, para se t’u drejtoheni dyqaneve, keni edhe diçka tjetër për të bërë.

Mos blini asgjë, deri në momentin që të keni një ide të qartë se si e doni ambientin tuaj, çka përfshin: qilim, mobilje, dritare, dyer, ndriçim etj. Njerëzit shpesh bëjnë gabimin që, pas blerjes së një orendie ose një artikulli, e dekorojnë të gjithë hapësirën në bazë të atij artikulli.

Por si mund të dini se çfarë doni, pa patur një ide se çfarë ofron tregu? Kjo është koha për të bërë hulumtime. Vizitoni dyqane, qendra tregtare afër zonës suaj në të cilat mund të krijoni një ide më të gjerë rreth orendive dhe për t’u njohur me stilet e kohës, çfarë është në dispozicion dhe çfarë ju pëlqen. Gjithashtu, kaloni pak kohë në internet, grumbulloni disa revista dizajni ose kërkoni nëpër dyqane online. Ju duhet të zgjeroni horizontin dhe të shihni se çfarë ofrohet. Disa dizajnera përkrahin blerjen e orendive të mëdha më parë. Sidoqoftë, të blera në fillim ose në fund, zgjidhini mobiljet tuaja në mënyrë sa më efektive. Zgjidhini pëlhurat sa më neutrale dhe pastaj luani me ngjyrat te muret dhe jastëkët.

Në këndvështrimin tim, rehatia është vendimtare, ndaj mos kini frikë të shpenzoni për ndenjëset. Blini divanin më të mirë që mund të përballoni ekonomikisht.

Testojeni duke u ulur ose duke u shtrirë para se ta blini dhe në qoftë se mundeni, përmirësoni jastëkët tuaj me sfungjer cilësor dhe të rehatshëm. Kini parasysh gjithmonë që investimin kryesor ta bëni në ambientet ku do të kaloni më shumë kohë dhe jo në ambientet dhe me orenditë që do t’i përdorni më rrallë. Dyqanet në të cilat duhet të blini mobiljet tuaja, variojnë nga stili, buxheti dhe prishtmëritë e cilësisë, si dhe sasia e kohës që ju keni menduar t’i kushtoni projektit tuaj. – Zakonisht, gabimi më i madh që bëjnë pronarët e shtëpive kur ata bëjnë pazar për mobilje është mosvlerësimi i madhësisë së një mobiljeje në lidhje me dhomën dhe gjëra të tjera në të. Një mobilje që duket e përsosur në një sallë ekspozite me 4 metra lartësi, nuk mund të duket njëlloj në shtëpinë tuaj, me lartësi 2.7 metra. Para se të blini diçka, nxirrni dimensionet e të gjithë shtëpisë e dhomave dhe shënoni në fletë ose në dysheme hapësirat që do të zënë të gjitha mobiljet ose orenditë. Gjithashtu, duhet te keni parasysh edhe dimensionet e mobiljeve përsa i përket mënyrës se si ato do të futen në shtëpi në hapësirën e dyerve ose ashensorit, si dhe nëpër kënde.